

Torino tronditet nga krimi makabër, gjendet një trup i copëtuar dhe i fshehur në thasë. Identiteti dhe kombësia e viktimës nuk janë bërë ende të ditura. Policia italiane po vijon punën për identifikimin e tij
Një ngjarje e rëndë është zbuluar gjatë natës në Torino, ku policia ka gjetur një trup të copëtuar dhe të fshehur në disa thasë të mëdhenj të zinj, brenda banjës së një apartamenti në lagjen Madonna di Campagna.
Për rastin po heton Skuadra e Krimeve të Rënda e Policisë.
Pranë trupit janë gjetur edhe disa thika të vendosura në një kovë. Policia mbërriti te zbulimi pas një telefonate në numrin e emergjencës 112 nga një grua, e cila kishte deklaruar se dyshonte se djali i saj i kishte bërë keq një personi.
Kur policët mbërritën te gruaja, aty ndodhej edhe djali i saj. Sipas të dhënave paraprake, atyre u është treguar më pas vendi ku ndodhej trupi, jo në banesën e tyre, por në një apartament tjetër në anën tjetër të qytetit, në via Gulli.
Pas kontrollit të banesës së dytë, efektivët gjetën mbetjet njerëzore.
Dy të rinj, rreth të 20-ave, janë shoqëruar në ambientet e policisë për t’u marrë në pyetje lidhur me përfshirjen e mundshme në vdekjen e viktimës.
Identiteti i personit të vrarë ende nuk është përcaktuar. Nga të dhënat e para, ai nuk rezulton të ketë qenë banor i apartamentit, pallatit dhe zonës ku u gjet trupi.
Policia po merr në pyetje edhe persona të tjerë për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të sqaruar motivin. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






