

PRISHTINË — Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVR-UÇK), në bashkëpunim me platformën “Liria ka Emër”, mban sot protesta popullore në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës. Tubimet organizohen nën moton “Jo në emrin tim”, në shenjë revolte kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat do të shtrihen në nëntë komuna kryesore të vendit sipas një axhende të përcaktuar kohore për zhvillimin e tubimeve masive në sheshet kryesore:
Në Podujevë, Istog, Rahovec, Deçan dhe Gjilan protestat nisin në orën 17:00, përkatësisht në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në Parkun e qytetit në Istog, në Sheshin e qytetit në Rahovec, në Qendrën e qytetit në Deçan si dhe Përpara Teatrit të qytetit në Gjilan.
Më pas, në orën 17:30 tubimet do të vijojnë në Kaçanik dhe në Drenas pranë Sheshit “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”. Në Prizren qytetarët do të grumbullohen në orën 19:00 në zonën e Shadërvanit, ndërsa protesta përmbyllëse do të mbahet në kryeqytet, në Prishtinë, në orën 21:00 në Sheshin “Skënderbeu”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






