

TIRANË — Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimi e Organizuar (GJKKO) ka konfirmuar masën e sigurimit "arrest në burg" për Hasan Ndërjakun, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Italia drejt Shqipërisë. Ndërjaku ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, ku ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit në mungesë për vepra penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pas ndalimit në Itali, ai kishte qëndruar nën masën e arrestit në shtëpi deri në realizimin e procedurave të dorëzimit.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të premte, avokati mbrojtës Rigert Koni kërkoi nga gjykata që në fashikull të administrohej vendimi i autoriteteve italiane të drejtësisë, i cili përcakton kushtet dhe kufijtë ligjorë të ekstradimit.
Sipas mbrojtjes, vendimi i gjykatës italiane nuk ndodhej në dosjen e prokurorisë dhe as të gjykatës shqiptare, ndërsa avokati pretendoi se autoritetet italiane nuk e kanë miratuar ekstradimin për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, por vetëm për veprën penale të shitjes së lëndëve narkotike. Përkundrejt pretendimeve të mbrojtjes, Gjykata e Posaçme vendosi lënien në fuqi të masës “arrest në burg” për të pandehurin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






