Transmetuar më 25-09-2026, 10:38

TIRANË — Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka mbajtur një fjalë të rëndësishme gjatë mbledhjes kombëtare të gjyqtarëve për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Në fjalën e tij, Sadushi u ndal në debatin publik mbi pagat e magjistratëve, ftesën e Kryeministrit për tryezë konsultimi, sigurinë e gjyqtarëve në prag të 1-vjetorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe nevojën për reforma me vështrim afatgjatë.

Sadushi theksoi se përplasja ligjore për pagat ndodhet tashmë në Gjykatën Kushtetuese dhe se parimet kushtetuese nuk mund të bëhen objekt kompromisi apo negocimi politik në tryeza administrative.

Në fjalën e tij drejtuar trupës gjyqësore, kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh:

“Kjo mbledhje zhvillohet në një moment kur debati publik ka sjellë përsëri në vëmendje marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, autoritetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garancitë që lidhen me statusin e gjyqtarit… Kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj dialogun institucional… Megjithatë, për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet.”

Lidhur me ftesën e ekzekutivit për tryezën e konsultimit mbi politikat e pagave, Sadushi nënvizoi se pjesëmarrja e drejtësisë nuk do të thotë nënshtrim apo tërheqje nga parimet:

“Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër. Dialogu nuk është nënshtrim. Ai është mënyra institucionale për të mbrojtur qëndrimin me argumente… Sot vendit i duhet një ‘Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë’… Dialogu nuk duhet të mbetet vetëm te paga. Është koha t’u japim përgjigje çështjeve që përcaktojnë funksionimin e drejtësisë: sa gjyqtarë dhe prokurorë i duhen Shqipërisë, si do të plotësohen vendet vakante, si do të ulet stoku i çështjeve dhe kohëzgjatja e proceseve.”

Kushtet e punës dhe siguria në gjykata

Duke iu referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur një vit më parë, ku mbeti i vrarë në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja, Sadushi bëri thirrje për masa emergjente dhe serioze për sigurinë fizike të trupës gjyqësore:

“Pas pak ditësh, më 6 tetor, mbushet një vit nga vrasja, në sallën e gjykimit, gjatë ushtrimit të detyrës, e kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja. Humbja e tij na kërkon të shohim me seriozitet sigurinë në çdo gjykatë: çfarë masash janë marrë, ku ka mangësi dhe kush mban përgjegjësi për t’i kapërcyer ato? Kur siguria e një gjyqtari cenohet për shkak të detyrës, vihet nën presion vetë ushtrimi i drejtësisë.”

Sipas tij, siguria, infrastruktura, teknologjia dhe financimi i qëndrueshëm nuk janë "kërkesa për komoditetin e gjyqtarëve", por kushte minimale që shteti duhet t’i garantojë me qëllim që qytetarët të marrin drejtësi cilësore dhe në kohë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit