

LEZHË — Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur mesditën e së enjtes në fshatin Manati të Lezhës. Hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të dinamikës, zbulimin e shkakut të konfliktit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
I plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur 31-vjeçari Danjel Pikuli, punonjës i një servisi automjetesh. Sipas burimeve hetimore, sherri ka nisur për motive financiare lidhur me pagesën e riparimit të një automjeti që autorët e dyshuar kishin dërguar në servis. Konflikti për faturën e shërbimit ka degjeneruar fillimisht në përplasje fizike mes palëve, moment i cili është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë së biznesit.
Gjatë përleshjes, një nga autorët ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të Pikulit, duke i shkaktuar një plagë tejshpuese në bark. I riu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje të menjëhershme kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Si autorë të dyshuar të ngjarjes, policia ka shpallur në kërkim dy pjesëtarë të së njëjtës familje (babë e bir), konkretisht shtetasit Gjergj Voci (B. Gj./B. V.), 47 vjeç, dhe i biri, Ariseldo Voci (A. V.), 23 vjeç, banues në fshatin Tresh të Lezhës.
Pas të shtënave, dy të dyshuarit janë larguar nga vendngjarja me një automjet tip "Volkswagen". Policia ka arritur të gjurmojë lëvizjet e këtij mjeti deri në zonën e Shënkollit, ndërsa gjatë këqyrjes së territorit shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një automjet tjetër tip “BMW”, i cili dyshohet se është përdorur gjithashtu nga autorët gjatë ikjes. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit rrugor Lezhë-Laç për të dokumentuar të gjithë itinerarin e arratisjes, ndërsa vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e babë e bir.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






