

PATOS — Një grup intelektualësh, aktorësh, avokatësh dhe shkrimtarësh i janë drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale dhe grupeve parlamentare me një letër të hapur, ku shprehin kundërshtimin e tyre lidhur me propozimin për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Fierin.
Përmes kësaj parashtrese, nënshkruesit kërkojnë që përpara çdo vendimmarrjeje politike apo administrative të kryhet dhe të bëhet publike një analizë e plotë, e verifikueshme dhe objektive mbi kapacitetet financiare, strukturën ekonomike, specifikat e industrisë së naftës e gazit, si dhe identitetin historik e shoqëror të zonës.
Në letrën zyrtare të dërguar institucioneve ligjvënëse, komuniteti dhe përfaqësuesit e tij parashtrojnë kërkesat e tyre:
“Komuniteti i Patosit kërkon që, përpara çdo vendimmarrjeje për ndryshimin e statusit të kësaj bashkie ose për bashkimin e saj me Bashkinë Fier, të kryhet dhe të bëhet publike një analizë e plotë, objektive dhe e verifikueshme mbi: funksionalitetin e Bashkisë Patos; kapacitetin e saj administrativ; kapacitetin financiar; strukturën ekonomike të territorit; karakteristikat demografike; veçoritë gjeografike; aksesin e qytetarëve në shërbime; historinë administrative; identitetin shoqëror dhe kulturor; ndikimin e industrisë së naftës dhe gazit; kostot dhe përfitimet e një bashkimi të mundshëm me Fierin; alternativat ndaj bashkimit. Pozicioni i komunitetit është se Bashkia Patos duhet të ruhet si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.”
Përfaqësuesit e komunitetit të Patosit këmbëngulin se ruajtja e statusit të bashkisë si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore është e domosdoshme për të garantuar mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe aksesin e tyre të drejtpërdrejtë në shërbimet publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






