Transmetuar më 25-09-2026, 09:50

BEOGRAD — Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar nga Nju Jorku se do të japë dorëheqjen nga postit i kreut të shtetit të dielën në mbrëmje, ku pritet të rendisë edhe arsyet e këtij vendimi përpara opinionit publik.

Në një prononcim për mediat, Vuçiç bëri me dije se njoftimi zyrtar pritet të bëhet rreth orës 20:00, ndërsa theksoi se përpara përfundimit të mandatit të tij do të zhvillojë një bisedë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me fokus çështjet energjetike dhe të ardhmen e Industrisë Serbe të Naftës (NIS).

Lidhur me paralajmërimin e largimit nga detyra dhe zhvillimet e pritshme, Aleksandër Vuçiç deklaroi:

“Do të jap dorëheqjen të dielën në mbrëmje. Mendoj se do të jetë rreth orës tetë. Do t’ju njoftoj, do t’ju telefonoj të gjithëve, do të dëgjoni shpjegimin tim dhe gjithçka tjetër. Para se të mbaroj mandatin tim, do të zhvilloj një bisedë me Presidentin Putin. Ne biseduam këtu, sigurisht, për marrëveshjet e energjisë dhe Industrinë e Naftës së Serbisë. Nuk di çfarë t’ju them. Ndoshta atëherë do të di diçka. Do të doja të isha në gjendje t’i bëja njerëzit dhe veten time të lumtur, për të qenë i sinqertë, pas këtyre muajve dhe viteve të vështira. Shpresoj që brenda dy ose tre ditësh të kem një përgjigje më të mirë dhe më të saktë për ju.”

Kreu i shtetit serb nënvizoi se pret të ketë informacione më të qarta mbi marrëveshjet energjetike dhe ecurinë e kompanisë publike të naftës gjatë ditëve në vijim, përpara se të përmbyllë zyrtarisht funksionin e tij shtetëror.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit