Transmetuar më 25-09-2026, 08:30

Kërkesat për kapital të shoqërive të sigurimit në Shqipëri do të bazohen në profilin e rrezikut të veprimtarisë së tyre.

Edhe shpërndarja e produkteve të sigurimit do t’u nënshtrohet kërkesave të përforcuara për mbrojtjen e konsumatorit.

Këto ndryshime parashikohen në projektligjin e ri “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.

Iniciativa u prezantua gjatë një takimi mes Drejtoreshës së AMF-së, Adela Xhemali, përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe drejtuesve të shoqërive të sigurimit.

Sipas AMF-së, projektligji synon përafrimin e plotë me kuadrin evropian Solvency II dhe Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve (IDD).

Drejtoresha Xhemali nënvizoi se reforma do të forcojë qëndrueshmërinë e tregut, standardet e qeverisjes, administrimin e rreziqeve dhe transparencën.

Eksperti i Bankës Botërore, Timo Broszeit, sqaroi se kuadri i ri e vendos qeverisjen korporative në thelb të regjimit ligjor.

Administrimi i rrezikut do të bëhet pjesë e vendimmarrjes strategjike, duke rritur përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare.

Drafti u hartua me mbështetjen e Bankës Botërore dhe financim nga SECO e qeverisë zvicerane.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e tregut të sigurimeve shprehën angazhimin për mbështetjen e reformës, me fokus te ngritja e kapaciteteve dhe digjitalizimi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit