Transmetuar më 24-09-2026, 23:04

Analisti Neritan Sejamini sonte në Tv Klan, ka zbërthyer skemën se si drejtuesit e institucioneve më kryesore në Shqipëri i raportonin një personi pa asnjë funksion zyrtar shtetëror, si Ergys Agasi.

Sejamini shpjegoi fillimisht specifikën dhe përgjegjësitë e mëdha që ka Shërbimi Informativ Shtetëror në vendin tonë.

“SHISH në Shqipëri është e një natyre kontinentale. Është shërbimi i brendshëm, është shërbimi i jashtëm. Në botë, shërbimi i jashtëm është ndryshe, dhe shërbimi i brendshëm është ndryshe.

Në Shqipëri, shërbimi i brendshëm dhe shërbimi i jashtëm janë bashkë. Që do të thotë, Shërbimi Informator në Shqipëri, përveçse të na mbrojë nga agjentët e huaj, ka për detyrë të zbulojë, të informojë, për krimin e organizuar, për trafikun e drogës, për trafikun e armëve, pastrimin e parave, madje dhe krimet mjedisore.

Pra dhe për Zvërnecin kur u vu gardhi duhej ta njoftonte zonja Hyseni. Pra, e para punës po flasim për një institucion që ka informacion mbi të gjithë aktivitetet kriminale që mund të ndodhin”, sqaroi ai.

Më tej, ai renditi drejtuesit e lartë të shtetit që lidhen apo i raportojnë këtij personazhi, duke ngritur pyetje mbi kontrollin e informacionit sensitiv.

“Të gjitha këto informacione i ka kjo zonja, do e marrim vesh nëse kjo zonja ia ka kaluar krimit të organizuar. Por shiko çfarë kemi, kjo zonja ka marrëdhënie me zotin Agasi. Nga ana tjetër kemi zonjën e AKSHI-t ë vete i raporton zotit Agasi në zyrë. Ajo ka qenë përgjegjëse për të gjithë infrastrukturën digjtale të shtetit shqiptar dhe të gjithë databaza.

Kemi zotin Ilir Proda i cili drejtor i Policisë, dhe ky i raporton zotit Agasi. Madje zoti Agasi u kap në makinë me shofer zëvendësin që zoti Proda kishte dikur. Kemi dhe drejtorin e laboratorit të Policisë Shkencore, që do të thotë shikon provat dhe ëvrteton që këto prova janë apo s’janë kriminale në gjykatë”, tha ai.

Në analizën e tij, Sejamini shprehet se Agasi ka pasur një pushtet të madh ndaj personave të vendosur në krye të institucioneve shqiptare, aq sa ata raportonin tek ai. E sipas tij, ky është thelbi i shtetit shqiptar, që “i shërben interesave private”.

“Po ti përmbledh shkurtimisht fare, të gjitha informacionet e shtetit shqiptar mbi krimin, trafikun, drogën, gjithçka, të gjithë informacionin që kalon në databazat shtetërore, të identitetit të njerëzve, të gjendjes civile, të vendimeve të gjykatave, të kalimit të kufirit, gjithë informacionin që ka policia, informacionin e hipotekave e me radhë, kalonin tek një person që quhet Ergys Agasi.

Tani, ky person nuk ka absolutisht asnjë lloj funksioni shtetëror, madje nuk ka as një lloj biznesi për të qenë. Të gjithë i raportojnë, të gjithë e kërkojnë, madje ky nuk e ngren as telefonin drejtores së SHISH-it. Pra, është aq i fuqishëm sa nuk e ngre.

Pyetja ime është, pse të gjithë këta njerëz i raportojnë këtij njeriu? Sepse ky patjetër do të ketë një autoritet të jashtëzakonshëm. Se pastaj i bie që të gjithë bien në dashuri me të. Ky është thelbi i shtetit shqiptar. Ne kemi një shtet formal, i cili funksionon në mënyrë krejtësisht private. I shërben interesave private. Kjo bëhet për para dhe për vota. Sepse ky njeri, çfarë ofron zoti Agasi? Asgjë. Pra, as biznesmen, as punonjës shtetëror, as asgjë fare.

Dhe kemi të gjithë njerëzit më të rëndësishëm të shtetit që janë ngarkuar me mbrojtjen e rendit publik, të kufijve të Shqipërisë, të sigurisë së Shqipërisë, të jetës së qytetarëve, të pronës, të gjithë i raportojnë këtij personi privat, i cili nga disa biseda nuk është as ndonjë qenie e zgjuar”, tha ai.

Analisti theksoi se e gjithë kjo skemë shërben si një mekanizëm shkëmbimi interesash politike dhe ekonomike për mbajtjen e pushtetit.

“Marrëdhënia që ka zoti Rama me këta, madje maja e piramidës, është pikërisht shkëmbimi. Zoti Rama jep favore ekonomike, licenca, monopole, liri për të pastruar paratë, leje ndërtimi… u jep avantazhe ekonomike dhe merr mbrapsht favore politike. Vota, para, për të mbajtur pushtetin. Për aq kohë sa ky rrjet informal e mban zotin Rama në pushtet, për të nuk ka asnjë lloj rëndësie. Kemia rdhur në një pikë, ku pushteti në Shqipëri punon në mënyrë informale”, u shpreh ai.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit