

Qeveria ka hartuar projektligjin "Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj", i cili parashikon vendosjen e një tarife të re orientuese prej 3 lekësh për litër mbi karburantet. Kjo masë do të rrisë më tej barrën fiskale mbi naftën, ku taksat aktualisht përbëjnë 53% të çmimit final të shitjes me pakicë, duke sjellë shtrenjtim të drejtpërdrejtë për konsumatorin vendas.
Fondet e mbledhura, të cilat llogariten në rreth 3.75 miliardë lekë (rreth 40 milionë euro) në vit ose 200 milionë euro gjatë një periudhe 5-vjeçare, do të përdoren për blerjen e naftës rezervë dhe mbulimin e kostove të depozitimit e mirëmbajtjes. Menaxhimi i kësaj rezerve do t’i besohet një Autoriteti të ri Shtetëror. Nisma ka nxitur reagimin e Shoqatës së Hidrokarbureve, e cila e konsideron këtë tarifë si një taksë të fshehtë mbi qytetarët, ndërsa ngre shqetësime për faktin se projektligji i jep këtij autoriteti të drejtën të blejë e të shesë naftë pa prokurim publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






