Transmetuar më 24-09-2026, 16:57

TIRANË – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, kërkesa për marrjen në pyetje të Hysenit është paraqitur më 23 shtator nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24 shtator 2026, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata ka vendosur gjithashtu ndalimin e publikimit, tërësisht ose pjesërisht, të vendimit gjyqësor deri në përfundimin e hetimeve paraprake, në bazë të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Hyseni u largua nga ambientet e GJKKO-së pas rreth dy orësh e njëzet minutash. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa pas përfundimit të saj ajo nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me hetimet e SPAK.

Njoftimi i GJKKO-së “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 23.09.2026, ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën për marrjen në pyetje të personit nën hetim Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 69, datë 24.09.2026, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘Arrest në shtëpi’, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Vlora Hyseni.

Gjithashtu, gjykata, bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale, ka vendosur ndalimin e publikimit tërësisht apo pjesërisht të këtij vendimi gjyqësor deri në përfundim të hetimeve paraprake.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit