

Tiranë, 24 shtator 2026 – Është shtyrë sërish seanca paraprake në GJKKO ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit. Shkak këtë herë është bërë mungesa e gjyqtares Rudina Palloj, anëtare e trupit gjykues.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Metës dhe Kryemadhit, por ata nuk morën pjesë në mbrojtjen e klientëve për shkak të bojkotit të vendosur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani, i kërkoi avokatit të Ilir Metës, Bujar Musta, të shpjegonte përse nuk pranonte të përfaqësonte klientin e tij, pavarësisht se ndodhej në ambientet e gjykatës.
Musta deklaroi se Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka marrë vendime për bojkotin e seancave dhe se ai rrezikon licencën nëse merr pjesë në proces, duke thyer vendimin e bojkotit.
Nga ana tjetër, gjyqtari Bani i bëri me dije avokatit se kjo situatë cenon administrimin e drejtësisë dhe iu referua nenit 264 të Kodit Penal, që lidhet me detyrimin për të marrë pjesë ose jo në grevë.
Gjatë seancës reagoi edhe Ilir Meta, i cili tha se situata e krijuar po cenon interesat e tij për zhvillimin e procesit gjyqësor. Sipas tij, avokati ndodhet përballë një konflikti mes detyrimit për të ushtruar mbrojtjen dhe rrezikut për licencën profesionale. Meta theksoi se vullneti i tij për të vijuar procesin është i plotë.
Në përfundim, seanca e radhës u caktua për 1 tetor, në orën 10:00.
Procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon në fazën paraprake të gjykimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






