Transmetuar më 24-09-2026, 12:55

Katër faza të operacionit “The Wanted” përfunduan me tre ekstradime dhe një arrestim në Itali. Mes rasteve ka akuza për trafik narkotikësh, zhvatje dhe organizatë kriminale

Tiranë- Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët e huaj, ka finalizuar katër faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, duke çuar në ekstradimin e tre personave dhe arrestimin e një të katërti me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Nga Italia është ekstraduar Hasan Nderjaku, 38 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GJKKO i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, Nderjaku dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Europës dhe investonte në aktivitete të ndryshme paratë e përfituara nga kjo veprimtari.

Nga Zvicra është ekstraduar Melsjon Kolaj, i njohur edhe me mbiemrin Murati, 28 vjeç. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Beratit kishte caktuar ndaj tij masën “Arrest në burg” për “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.

Sipas akuzës, gjatë vitit 2024 ai, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se ka dhunuar dhe kërcënuar disa herë një shtetas në Berat për t’i marrë një shumë parash.

Ndërkohë, Alvaro Bishaj është ekstraduar drejt Spanjës. Ai ishte shpallur në kërkim nga Interpol Madridi pasi autoritetet spanjolle kishin lëshuar urdhër arresti ndaj tij për “Organizatë kriminale” dhe “Kultivim të bimëve narkotike”.

Bishaj akuzohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale që kultivonte dhe trafikonte kanabis në Spanjë gjatë viteve 2019–2020.

Në Itali është arrestuar gjithashtu Erjon Zanaj, 40 vjeç, lindur në Vlorë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Ai ishte dënuar në vitin 2018 me tre vite burg për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas Policisë, në vitin 2015 në banesën e tij ishin gjetur bimë narkotike të kultivuara. Interpol Tirana po vijon procedurat me Interpol Romën për ekstradimin e tij, pasi Zanaj duhet të vuajë edhe dy vite burgim. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit