

Tiranë, 24 shtator 2026 – Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për qëndrimin e tij lidhur me zhvillimet rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Në një deklaratë të bërë publike gjatë zhvillimeve politike të së enjtes, Topalli iu drejtua Peleshit duke i kërkuar të mbajë qëndrim për situatën, ndërsa e cilësoi atë si “numri 2 i Republikës”.
“Kush e mbron Republikën, kur këta që duhet ta mbrojnë janë në mbrojtje të krimit? Krimi mund të përballet me kriza politike institucionale, po kur shembet themeli i Republikës, shteti ka pushuar së ekzistuari. Është zhdukur kufiri i shtetit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Topalli.
Ajo vijoi kritikat ndaj institucioneve, duke pretenduar se situata aktuale është pjesë e një problemi më të hershëm në funksionimin e shtetit.
“Ju mund të jeni të rinj, por kjo që ndodh sot që nuk është shteti i kapur, po shteti i mafies, ka një agjendë që ka filluar shumë vite përpara”, u shpreh Topalli.
Më tej, ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të Kuvendit, duke i kërkuar dorëheqjen.
“Por ju jeni numri 2 i Republikës Parlamentare dhe deri më sot nuk ta kam dëgjuar të flisni një fjalë. Të sugjeroj një rrugë të shkurtër, ka mundësi që kryetari i Parlamentit të japë dorëheqjen. Do ishte një dalje fisnike”, tha Topalli.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik. Hyseni ndodhet nën masën “arrest në shtëpi” dhe më 24 shtator është paraqitur në GJKKO për seancën e marrjes në pyetje.
Ndërkohë, opozita ka kërkuar që situata në SHISH të trajtohet edhe në Kuvend. Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati parlamentar me kryeministrin Edi Rama lidhur me zhvillimet në këtë institucion.
Nga ana e qeverisë, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se përgjegjësia penale është individuale dhe se përgjegjësia politike është adresuar përmes largimit të Hysenit nga drejtimi i SHISH. Ai ka theksuar gjithashtu se procesi penal duhet të vijojë dhe se përgjegjësia përfundimtare duhet të përcaktohet nga drejtësia.
Deklarata e Topallit
“Kush e mbron Republikën, kur këta që duhet ta mbrojnë janë në mbrojtje të krimit? Krimi mund të përballet me kriza politike institucionale, po kur shembet themeli i Republikës, shteti ka pushuar së ekzistuari. Është zhdukur kufiri i shtetit dhe krimit të organizuar.
Ju mund të jeni të rinj, por kjo që ndodh sot që nuk është shteti i kapur, po shteti i mafies, ka një agjendë që ka filluar shumë vite përpara, kur aty ishin njerëz që kishin problem me krimin, kur radarët fikeshin nga Ministria e Mbrojtjes me urdhër të Kryeministrit.
Shtet i rrezikshëm, por ju jeni numri 2 i Republikës Parlamentare dhe deri më sot nuk ta kam dëgjuar të flisni një fjalë. Të sugjeroj një rrugë të shkurtër, ka mundësi që kryetari i Parlamentit të japë dorëheqjen. Do ishte një dalje fisnike”, deklaroi Topalli.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






