

Tiranë, 24 shtator 2026 – Mesazhe të tjera që i atribuohen komunikimeve mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi janë bërë publike në kuadër të materialeve të hetimit të SPAK janë bërë publike nga burime mediatike.
Në një prej komunikimeve, Hyseni paralajmëron Agasin që të mos përdorë një numër tjetër telefoni, duke i thënë se ai mund të ishte në vëmendjen e personave që po e dëgjonin apo monitoronin komunikimin.
“Shpirt mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Fli rehat. Të du!”, thuhet në mesazhin që i atribuohet Hysenit.
Në vijim, Agasi e pyet nëse ekziston ndonjë rrezik për persona që ai i referohet si “djemtë e mi”.
“Shpirt, a ka naj rrezik për djemtë e mi sonte?”, citohet të ketë shkruar Agasi.
Përgjigjja e Hysenit, sipas materialeve të publikuara, është: “Fli rehat zemër, krejt radarët e shtetit i mbyll për ty”.
Komunikimet janë bërë publike në një kohë kur Hyseni ndodhet nën hetim nga SPAK. Ajo është paraqitur këtë të enjte në GJKKO, ku pritet t’i komunikohet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas materialeve të bëra publike, Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK lidhur me kontaktet e saj me Agasin. Ish-drejtuesja e SHISH ka deklaruar se komunikimet me biznesmenin kanë qenë të lidhura me detyrën e saj.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të zhvilluara në korrik në ambientet e “Equos Resort”, hetuesit dyshohet se kanë sekuestruar dokumente që po verifikohen për përmbajtje të klasifikuar, si dhe komunikime mes Hysenit dhe Agasit.
Të dhënat e administruara nga hetimi, përfshirë komunikimet telefonike, janë pjesë e materialeve mbi të cilat organi i akuzës ka ngritur dyshimet ndaj personave të përfshirë në procedim. Vlerësimi përfundimtar i përgjegjësive penale i takon gjykatës.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






