

GJKKO lë në burg Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, dyshohen se ndihmuan Ergys Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim
Tiranë – Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Fatjon Kalluçin, drejtues në Policinë Shkencore, dhe Embro Sulejmanin, të dy nën hetim në dosjen ku përmendet edhe Ergys Agasi. Seanca për verifikimin e masave të sigurisë dhe marrjen në pyetje të tyre u zhvillua paraditen e sotme në GJKKO.
Sipas të dhënave të hetimit të raportuara nga mediat, Kalluçi dyshohet se gjatë muajit gusht i ka dërguar Agasit tre fotografi që lidhen me ekspertizën e një automjeti “Land Rover Defender” me targë GG444AA, i gjetur në ambientet e një biznesi.
Ndërkohë, Embro Sulejmani dyshohet se i ka dërguar ushqime Agasit në banesën ku ai qëndronte i fshehur gjatë periudhës kur ishte në kërkim. Gjurmët e këtyre komunikimeve dyshohet se janë gjetur në telefonin e Ergys Agasit dhe janë administruar në kuadër të hetimit.
Gjatë seancës, sipas raportimeve, Sulejmani ka deklaruar se e njihte Agasin dhe se i kishte dërguar ushqim, ndërsa Kalluçi ka mohuar të kujtojë se kishte dërguar akte sekrete, siç dyshohet nga SPAK.
Në të njëjtin procedim penal, sot në orën 12:00 është caktuar edhe seanca për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






