

Tiranë, 24 shtator 2026 – Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, ndërsa në qendër të debatit janë zhvillimet rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe hetimeve që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Situata është tensionuar pasi deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka vijuar të qëndrojë në foltoren e Kuvendit edhe pas përfundimit të kohës së përcaktuar për fjalën e tij.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e ka paralajmëruar disa herë Nokën që të lironte foltoren, ndërsa më pas ka njoftuar se fjalën do ta merrte ministrja Ismailaj.
Refuzimi i Nokës për t’u larguar nga foltorja ka sjellë ndërprerjen e seancës. Në sallë, deputetë të opozitës kanë reaguar duke goditur tavolinat dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në nisje të përplasjes, debati ishte përqendruar te çështja e ish-kreut të SHISH dhe pretendimet e SPAK lidhur me favorizimin e biznesmenit Ergys Agasi gjatë kohës kur ky i fundit ishte në kërkim.
Pas përshkallëzimit të situatës, Peleshi ka njoftuar një pushim prej pesë minutash, duke pezulluar përkohësisht punimet e seancës plenare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






