

Tiranë, 24 shtator 2026 – Detaje nga dëshmitë e dhëna në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) janë bërë publike në lidhje me procedimin ku është arrestuar biznesmeni Embro Sulejmani, i dyshuar se ka ndihmuar Ergys Agasin të fshijë gjurmët e takimeve të tij në një lokal, gjatë periudhës kur ishte në kërkim.
Para gjykatës, Sulejmani ka mohuar përfshirjen në ndonjë vepër penale. Ai ka deklaruar se e njeh Agasin, pasi të dy janë nga Durrësi, ndërsa ka thënë se nuk e kupton se për çfarë krimi akuzohet.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë kohës që Agasi ishte në arrati, ai i ka dërguar ushqime dhe supë. “Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani para gjykatës.
Në të njëjtin proces është marrë në pyetje edhe oficeri i Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk kujton të ketë dërguar akte sekrete, siç dyshohet nga organi i akuzës.
Sulejmani dhe Kalluçi janë arrestuar në kuadër të të njëjtit procedim penal. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për të dy.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






