

Lideri demokrat: Ky është parlamenti i Ergys Agasit, Vlora Hyseni shkarkonte secilin prej jush me porosi të tij! Siguria kombëtare është shembur totalisht, Agasi e merrte fuqinë nga Padrinoja Edi Rama
Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi sot akuza të forta në Kuvend ndaj kryeministrit Edi Rama, Ergys Agasit dhe ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar situatën si një goditje të rëndë ndaj sigurisë kombëtare.
Në fjalën e tij, Berisha tha se seanca e sotme “do të hyjë në histori si seanca më e turpshme” dhe e quajti Kuvendin “parlamenti i Ergys Agasit”.
Sipas Berishës, çështja më e rëndë lidhet me atë që ai e përshkroi si “shembje totale të sigurisë së vendit”, duke pretenduar se Vlora Hyseni ishte e lidhur me grupin e Ergys Agasit.
“Çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit”, deklaroi Berisha.
Ai përsëriti akuzat ndaj Agasit, duke pretenduar se kishte ndikim të gjerë mbi struktura shtetërore dhe se këtë fuqi, sipas tij, e merrte nga kryeministri Edi Rama.
“Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë fuqi e kishte nga Padrino i vendit”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u ndal më tej te emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH, të cilin e cilësoi si një nga vendimet më të papërgjegjshme për sigurinë e vendit.
Berisha pretendoi gjithashtu se Hyseni vepronte me porosi të Ergys Agasit dhe se kishte ndërhyrë në çështje që lidhnin drejtues dhe funksionarë të mazhorancës.
“Ishte njeriu që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush”, deklaroi ai, duke iu drejtuar deputetëve socialistë në sallë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha përmendi nominalisht Damian Gjiknurin dhe Ulsi Manjën, duke sugjeruar se emrat e tyre mund të dalin në materiale që ai i lidh me këtë çështje.
Ai e mbylli ndërhyrjen duke këmbëngulur se, sipas tij, problemi nuk është vetëm politik, por prek drejtpërdrejt strukturën e sigurisë kombëtare.
“Tragjike është se është shembur piramida e sigurisë”, tha Berisha. /noa.al
Deklarata e plotë
Kjo seancë do hyjë në histori si seanca më e turpshme e mbledhur ndonjëherë. Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot, për çdo qytetar shqiptar, që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e shërbimit informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal Agasi. Në këtë sallë kam deklaruar, kam paralajmëruar se Ergys Agasi është mafiozi më i rrezikshëm i Evropës. Po, sepse ai kontrollonte si asnjë tjetër në Shqipëri dhe në Evropë, të gjitha kartelet e drogës, të gjithë internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe SHISH-in. Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë fuqi e kishte nga Padrino i vendit. Rasti i Vlora Hysenit është i treti rast në botë, është El Polo i Venezuelës që punoi me kartelet, është shefi i shërbimit të Guinesë Bisau, të cilën kartelet amerikano-latine e shndërruan në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Afrikë, dhe tani vjen Vlora Hyseni, ky personazh i përçudnuar, që pasi shkarkohet nga detyra në një vend demokratik, për motive të forta, po ato motive e sjellin atë këshilltare të Padrinos dhe më pas e sjellin në krye të SHISH. Emërimi i saj, jashtë të gjitha kritereve, përbën aktin më të papërgjegjshëm ndaj sigurisë së vendit. Emërimi i saj ishte në mënyrë absolute për një rol të dyfishtë. E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj edhe sot, ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës. Por kjo është njëra anë, ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve të këtij vendi, bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte një ushtare e hanxharëve të krimit. Ishte ushtare e një organizate më të rrezikshme kriminale. Ishte njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti. Ishte njeriu që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush. Po! Ishte njeriu që u thërriste ju në zyrë. Damian, e ke vetë parasysh ti. Nuk je i vetmi ti, janë shumë si ti. Se e shihja se po bëje sikur nuk po dëgjoje. Ulsi, shko merr dosjen sa herë të del emri aty. Por prapë, në këtë rast, tragjike është se është shembur piramida e sigurisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






