

“E godita tre herë në bark”! Vrasja pranë “Petro Ninit”, Toni Nake rrëfen në polici për konfliktin me viktimën
Tiranë, 24 shtator 2026 – Toni Nake, i dyshuar për vrasjen e 49-vjeçarit Kreshnik Cara në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, është marrë në pyetje nga grupi hetimor lidhur me rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Gjatë dëshmisë së tij në polici, Nake ka deklaruar se ndodhej në të njëjtin lokal me viktimën, por në tavolina të ndryshme. Sipas versionit të tij, mes tyre ka nisur një debat i çastit, i cili fillimisht është zhvilluar me fjalë.
Ai ka pohuar se pas konfliktit është larguar drejt banesës, ku ka marrë një thikë dhe më pas është kthyer në lokal. Sipas deklarimeve të tij, ka goditur tre herë Kreshnik Carën në pjesën e barkut.
Në momentin e konfliktit, 49-vjeçari ndodhej në tavolinë me një mik të tij. Grupi hetimor po verifikon rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa deklarimet e autorit të dyshuar janë pjesë e hetimit dhe po ballafaqohen me provat e mbledhura.
Sipas burimeve të cituara në lidhje me çështjen, Nake është i njohur si përdorues i lëndëve narkotike dhe gjatë marrjes në pyetje ka dhënë deklarime që nuk kanë qenë tërësisht të qëndrueshme. Ai ka pretenduar gjithashtu se ishte përballur më herët me episode bullizmi.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e konfliktit dhe rrethanat e sakta që çuan në vrasjen e 49-vjeçarit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






