

Kryeekzekutivi i kompanive Tesla, Elon Musk, ka dhënë orët e fundit një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), gjatë së cilës ndau pikëpamjet e tij më të fundit mbi tregun kinez, inteligjencën artificiale, robotët humanoidë dhe tema të tjera me interes
Gigafabrika e Shangait e kompanisë Tesla është një nga bazat kryesore të prodhimit të Tesla-s në mbarë botën. Në gjysmën e parë të vitit 2026, fabrika dorëzoi rreth 468 mijë automjete, 28.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar nivelin më të lartë të prodhimit për të njëjtën periudhë të tre viteve të fundit. Që nga fillimi i dorëzimeve në fund të vitit 2019, fabrika ka prodhuar gjithsej mbi 4.5 milionë automjete, të cilat furnizojnë tregjet e Kinës, Azisë-Paqësorit dhe Evropës.
Duke folur për biznesin e Tesla-s në Kinë, Musk vlerësoi lart Gigafabrikën e Shangait. Ai tha se Kina ka një bazë jashtëzakonisht të fortë industriale. Sipas tij, suksesi i Gigafabrikës së Tesla-s në Shangai i detyrohet ekipit kinez, i cili ka shumë profesionistë të talentuar, është i zellshëm dhe i besueshëm, ndërsa cilësia e produkteve dhe efikasiteti i prodhimit janë të nivelit të lartë. “Gigafabrika e Shangait është një thesar.”
Vitet e fundit, teknologjia kineze e robotëve humanoidë ka shënuar përparime të njëpasnjëshme, duke tërhequr vëmendjen globale. Musk ka shpërndarë shumë herë në rrjetet sociale fotografi dhe video të robotëve humanoidë kinezë.
Duke folur për robotët humanoidë, Musk shpalosi vizionin e tij për të ardhmen: çdo person mund të ketë robotin e tij personal, i cili mund të kujdeset për prindërit e moshuar, të mbikëqyrë fëmijët, të shërbejë si mësues individual për ta dhe të kryejë lloje të ndryshme punësh. Në botën e së ardhmes, një person mund të kontrollojë qindra apo edhe mijëra robotë fizikë dhe agjentë inteligjentë digjitalë.
“Parashikoj që brenda 10 vitesh ose më pak, do të ketë të paktën 1 miliard robotë humanoid, brenda 15 vitesh, numri mund të arrijë në 10 miliardë; ndërsa brenda 20 vitesh, mund të arrijë në 100 miliardë.”
Kur gazetari i CMG-së i kujtoi se më parë kishte rekomanduar në rrjetet sociale udhëtimet në Kinë, Musk tha: “Vetëm me përshkrimin tim, nuk mund të tregohet aspak bukuria e Kinës. Kina është fantastike.”
Musk e rekomandoi sërish fuqishëm një udhëtim në Kinë. “Nëse koha jua lejon, patjetër shkoni dhe vizitoni Kinën. Ka kaq shumë gjëra për të parë. Nëse koha është e kufizuar, të paktën duhet të vizitoni Shangain dhe Pekinin.”
“Ju këshilloj të kaloni sa më shumë kohë që të jetë e mundur duke udhëtuar nëpër Kinë.” Ai kujtoi përvojën e udhëtimit me trenin e shpejtësisë së lartë nga Pekini në Xi’an të provincës Shaanxi, duke thënë se “përvoja ishte fantastike dhe stacioni i trenit të shpejtësisë së lartë ishte madhështor”.
Ai veçanërisht këshilloi: “Kur udhëtoni me trenin e shpejtësisë së lartë, mos harroni të shikoni nga dritarja dhe mos qëndroni gjithë kohën duke parë telefonin. Ka kaq shumë gjëra që ia vlen të përjetohen.”
Duke folur për arsimin në epokën e inteligjencës artificiale, Musk sugjeroi që njerëzit të mësojnë gjerësisht, duke ndërthurur shkencat humane dhe artet me shkencën dhe inxhinierinë, si dhe të ndërtojnë një bazë të fortë të njohurive të përgjithshme.
“Nëse dëshironi t’i jepni udhëzime një roboti, duhet të mësoni se si t’i formuloni problemet. Sa më e gjerë të jetë fusha e njohurive, aq më mirë do të dini të bëni pyetje.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






