

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku ka përcaktuar linjën e aksionit politik opozitar për periudhën në vijim. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh prerazi kundër bojkotimit të punimeve të Parlamentit, duke theksuar se lënia bosh e ulëseve do t’i shërbejë vetëm kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, opozita duhet të përballet drejtpërdrejt në sallën e Kuvendit, ndërsa vzazhdon përpjekjet në të gjitha frontet për rrëzimin e qeverisë.
Përveç betejës parlamentare, kreu i PD-së iu bëri thirrje drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve demokratë që të angazhohen maksimalisht në mbështetje të protestave qytetare. Berisha e cilësoi praninë në shesh si një detyrë madhore politike: "Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim. Ndaj dhe kjo mbledhje është një apel, një kushtrim për secilin prej nesh të shkojmë tek qytetarët". Ai udhëzoi strukturat e partisë të jenë të pranishme çdo ditë në protestat e organizuara për të bashkuar forcat me qytetarët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






