

Një punonjës policie në Klos është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të përsëritur dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një vajze, si dhe dhunë psikologjike ndaj vëllait të saj të mitur.
Ndalimi është kryer nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Sipas AMP-së, punonjësi i ndaluar është një inspektor me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit Publik, në Stacionin e Policisë Klos, në varësi të Komisariatit të Policisë Mat.
Ai po hetohet për veprën penale “Dhuna në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, punonjësi i Policisë dyshohet se ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses. Po ashtu, dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të saj të mitur.
Pas veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës, e cila do të vijojë hetimet dhe procedurat e mëtejshme ligjore.
I ndaluari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






