Transmetuar më 23-09-2026, 18:30

Komisioni Europian po përgatit një plan të ri veprimi për Shqipërinë, i cili pritet të mbështesë objektivin e Tiranës për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027.

Sipas Euronews, zyrtarë të Bashkimit Europian kanë bërë të ditur se Komisioni po punon për një udhërrëfyes që do të përcaktojë edhe reformat dhe rezultatet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë për të mbyllur boshllëqet e mbetura në procesin e anëtarësimit.

Shqipëria ka vendosur fundin e vitit 2027 si objektiv për përfundimin e negociatave të pranimit. Ky afat është përsëritur prej kohësh nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë si një synim i diskutuar me Komisionin Europian.

Megjithatë, Komisioni Europian ka theksuar se procesi i zgjerimit bazohet në meritë dhe se anëtarësimi nuk përcaktohet nga data fikse.

“Zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që vendi po i afrohet fundit të pjesës teknike të anëtarësimit, aq më shumë mund të themi për të ose aq më shumë mund të përdorim vitet”, deklaroi në korrik komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në Parlamentin Europian, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Brukseli do të propozojë udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e integrimit.

Këta udhërrëfyes pritet të përfshihen në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Europian, e cila pritet të publikohet në fund të tetorit. Dokumenti do të përmbajë vlerësime për vendet kandidate dhe rekomandime për hapat e mëtejshëm.

Për Shqipërinë, plani pritet të përfshijë një listë të rezultateve kryesore që do të përcaktojnë reformat dhe masat që duhet të ndërmerren për të përmbushur kriteret e mbetura të anëtarësimit, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

Një qasje e ngjashme është përdorur edhe për Malin e Zi, ku Komisioni Europian përcaktoi reforma dhe rezultate konkrete që duhej të përmbusheshin në kuadër të procesit të negociatave.

Sipas një zyrtari të BE-së, të cituar nga Euronews, Komisioni vlerëson se kjo qasje ka funksionuar në rastin e Malit të Zi dhe synon ta përdorë edhe për Shqipërinë.

Udhërrëfyesi i ri pritet t’i japë Tiranës një kuadër më të qartë për reformat që duhet të përfundojë për të arritur objektivin e mbylljes së negociatave deri në dhjetor 2027.

Megjithatë, përfundimi i negociatave nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas mbylljes së negociatave vijojnë procedurat institucionale dhe ratifikimi i traktatit të anëtarësimit nga vendet anëtare të BE-së.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit