

Rritja e çmimeve të banesave në Shqipëri është ngadalësuar ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke sinjalizuar një ritëm më të moderuar të tregut të pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fisher i çmimit të banesave mbeti i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë u rrit me 10%.
Ky ritëm është dukshëm më i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, rritja vjetore kishte qenë 28%, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të atij viti kishte arritur në 41.7%.
Në Tiranë, çmimet e banesave u rritën me 10% krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, ndërsa në terma vjetorë rritja ishte 9%.
Pavarësisht ngadalësimit të çmimeve, agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë një vlerësim pozitiv për ecurinë e tregut. Balanca neto e përgjigjeve për situatën e tregut ishte +15%, ndërsa për subjektet që kanë raportuar shitje kjo balancë arriti në rreth 35%.
Në zonat bregdetare, vlerësimi i tregut rezultoi edhe më pozitiv, ndërsa numri i pronave të pashitura, si për banesa ashtu edhe për ambiente tregtare, ka vijuar të bjerë gjatë disa gjashtëmujorëve radhazi.
Megjithatë, koha mesatare e shitjes së banesave është rritur lehtë. Në rang vendi ajo shkoi në 9.9 muaj, nga 9.1 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në Tiranë, koha mesatare e shitjes u rrit nga 8.1 në 9.7 muaj.
Ndërkohë, në zonat bregdetare koha mesatare e shitjes ra në 8.2 muaj, nga 9.9 muaj më parë.
Financimi bankar vijon të ketë një rol të rëndësishëm në treg. Sipas agjentëve të anketuar, rreth 58% e pronave të shitura për banim dhe përdorim tregtar janë blerë përmes huas bankare. Në rreth 34% të këtyre rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.
Një tjetër element i rëndësishëm është rritja e blerjeve nga shtetasit jorezidentë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, rreth 20% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga jorezidentë. Rreth 85% e tyre ishin shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pesha e transaksioneve me blerës jorezidentë ka shfaqur një tendencë në rritje gjatë pesë viteve të fundit.
Pavarësisht frenimit të ritmit të rritjes së çmimeve, pritjet e agjentëve për tregun e pasurive të paluajtshme mbeten pozitive, si në periudhën afatshkurtër ashtu edhe për horizontin deri në dy vjet.
Të dhënat bazohen në një vrojtim të Bankës së Shqipërisë me 230 subjekte që operojnë në tregtimin e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, subjektet e përzgjedhura përfaqësojnë rreth 75-80% të xhiros së popullatës së këtij tregu.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






