Transmetuar më 23-09-2026, 17:11

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se zgjedhja e Qeverisë së Kosovës më 13 shtator 2026 nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Vendimi është marrë të mërkurën, më 23 shtator, pas shqyrtimit të dy kërkesave të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët kishin kontestuar konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se vendimi i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka vendosur gjithashtu se deputetët duhet të zgjedhin sa më parë nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me Kushtetutën.

Një tjetër pikë e rëndësishme e vendimit lidhet me zgjedhjen e presidentit. Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar gjithashtu kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme ndaj punimeve të Kuvendit.

Vendimi i Kushtetueses është marrë në kuadër të kërkesave KO256/26 dhe KO258/26, të paraqitura nga deputetë të PDK-së.

Me këtë vendim, Gjykata ka përcaktuar se, ndonëse konstituimi i Kuvendit ka ndodhur përtej afatit kushtetues 30-ditor, zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit