

Shkarkimi i Vlora Hysenit, Rama i delegon kompetencat drejtorit të përkohshëm të Shërbimit Informativ Shtetëror
TIRANË — Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra të Vlora Hysenit, drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) i është besuar përkohësisht Elvis Lilës, i cili mban pozicionin e Drejtorit të Departamentit Operativ në këtë institucion.
Sipas urdhrit zyrtar të nxjerrë për këtë qëllim, Lilës i janë deleguar të gjitha kompetencat administrative të titullarit deri në emërimin e drejtuesit të ri të shërbimit sekret.
Vendimi bazohet në Kushtetutë e në legjislacionin në fuqi për SHISH-in dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.
Procesi i ekzekutimit të masës së sigurisë ndaj Vlora Hysenit nisi me ndalimin e saj në aeroportin e Prishtinës, ku iu dorëzua autoriteteve të Kosovës dhe më pas u shoqërua drejt pikës kufitare të Vërmicës.
Në kufi me Kukësin, ajo iu dorëzua autoriteteve shqiptare, të cilat me automjet civil e shoqëruan drejt Tiranës për zbatimin e arrestit në shtëpi, nën akuzat për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






