

ROMA — Njëmbëdhjetë senatore të opozitës italiane nga Partia Demokratike (PD), Italia Viva dhe Aleanca e të Gjelbërve dhe të Majtës (AVS) u paraqitën në sallën e Senatit në Palazzo Madama të veshura me minifunde, duke ndërmarrë një protestë simbolike ndaj zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani.
Shkak për këtë aksion politik u bënë komentet e bëra nga kreu i Forza Italia gjatë aktivitetit politik “Itaca” në Formello, ku duke ilustruar këshillën që do t’i jepte të birit për zgjedhjen e bashkëshortes, bëri një ndërlidhje mes veshjes, pamjes së jashtme dhe besnikërisë bashkëshortore.
Gjatë fjalës së tij që u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, Antonio Tajani deklaroi:
“Po të më kërkonte im bir një këshillë se me çfarë vajze duhet të martohej, do t’i thosha të shihte karakterin. Është bukur të martohesh me një vajzë tërheqëse, por çfarë karakteri ka? Pastaj mund të jetë një vajzë më pak e dukshme, por më e besueshme, më serioze, që do të jetë një nënë e mirë dhe do t’i qëndrojë besnike dashurisë së premtuar në martesë. Atëherë do t’i thosha tim biri: zgjidh të dytën.”
Deklarata e ministrit, ku përmendej edhe krahasimi me gra që mbajnë “funde pak më të gjata”, nxiti reagime të ashpra nga përfaqësueset e forcave politike opozitare, të cilat e cilësuan deklaratën si përdorim të stereotipeve gjinore dhe cenim të dinjitetit të femrës. Ish-kryetarja e Bashkisë së Torinos, Chiara Appendino, dhe deputetja Maria Elena Boschi kritikuan publikisht qasjen e ministrit, duke theksuar se besueshmëria e një gruaje nuk matet me centimetra pëlhure.
Pas përshkallëzimit të polemikave në nivel kombëtar dhe protestës brenda Parlamentit, zëvendëskryeministri Antonio Tajani kërkoi ndjesë publike nga Nju Jorku, ku ndodhej për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






