

Dy raste të veçanta në Kuçovë dhe Moravë çuan në arrestimin e dy personave. Gjatë kontrolleve u gjetën mbi 4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, para dhe telefona celularë
Berat – Dy persona janë arrestuar në qarkun e Beratit, pasi dyshohet se mbanin sasi dhe doza kanabisi me qëllim shitjen pranë shkollave në Kuçovë dhe në Moravë.
Rastet janë zbuluar gjatë dy fazave të operacionit të koduar “Perimetri”.
Në Kuçovë u arrestua A. G., 46 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 3.95 kilogramë lëndë e dyshuar Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në doza. Sipas Policisë, lënda dyshohet se mbahej me qëllim shitjen në afërsi të shkollave të qytetit.
Në një tjetër rast u arrestua G. Ç., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë. Ai u kap në flagrancë dhe gjatë kontrollit iu gjetën me vete dhe në banesë sasi dhe doza të dyshuara kanabisi.
Në këtë rast u sekuestrua gjithashtu një shumë parash, e cila dyshohet se ishte përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Në total, gjatë dy fazave të operacionit janë sekuestruar mbi 4 kilogramë kanabis, dy telefona celularë dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






