

TIRANË — Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) do të nisë gjatë muajit tetor procesin e shpërndarjes së fondeve financiare për pronarët e prekur nga ndërtimet informale. Drejtori i institucionit, Valdrin Pjetri, zbardhi detajet e procedurave administrative për shqyrtimin e dosjeve të shpronësimit dhe modelin e ri të informimit publik.
Gjatë fjalës së tij, Pjetri sqaroi se nga rreth 6 mijë dosje të mbetura për shqyrtim, rreth 1 800 prej tyre ndodhen aktualisht në proces përpunimi. Ai vuri në dukje se vonesat kryesore në trajtimin e aplikimeve lidhen me sigurimin e dëshmive të trashëgimisë, mungesën e firmave mes familjarëve të brezit të tretë të trashëgimtarëve, si dhe me mospërputhjet hartografike.
Lidhur me ecurinë e procesit të kompensimit dhe sfidat me dokumentacionin, Valdrin Pjetri u shpreh:
“Ne po trajtojmë brezin e tretë që është në moshë 75-80, dhe mezi arrijnë të marrin firma nga familjarët e tjerë. Po ashtu konstatohen dhe probleme hartografike. Dosjet janë rast pas rasti. Mungon marrja e firmave, dëshmia e trashëgimisë, ky është problemi i parë. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka kompensim fizik dhe financiar. Financiari është i menjëhershëm. Kur një qytetar i një subjekti të shpronësuar merr vendim nga Trajtimi i Pronave, ai ka mbaruar punë, dhe nuk ka pse të kthehet më te ne. Sot qytetarët janë të prirur të kompensimi financiar. Kur është e pamundur kompensimi fizik, Agjencia kalon te kompensimi financiar. Ne bëjmë plan punë dhe çdo datë 30 ATP do të ketë një kalendar pune, për të treguar punën e kryer. Në çdo fund muaji, në web, në instagram apo FB ne do të dalim me rezultate konkrete për punën. Qytetari ka mundësi që të pyesë fizikisht ditët e mërkura për dosjen e tij ose me shkresë, drejtuar institucionit tonë. Kemi 6 mijë dosje në total për të shqyrtuar. 1800 janë duke u përpunuar përditë. Analizën e parë të punës do ta bëjmë pas 6 muajsh. Në vitin 2027 do të quhen të trajtuara dosjet në proces shqyrtimi. Ndërsa kompensimi është proces i vazhdueshëm. Në tetor do të bëjmë shpërndarjen e fondeve për ata pronarë që janë prekur nga ndërtimet informale. Kemi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Financave për të bërë likuidimin e subjekteve që duhet të kompensohen. Ne bëjmë mesazhin; vijoni plotësimin e dokumentacioneve në bazë të njoftimeve të bëra nga institucioni ynë.”
Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronave nënvizoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave po garantohet likuidimi i subjekteve përfituese, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të vijojnë plotësimin e dokumentacionit përkatës pranë institucionit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






