Transmetuar më 23-09-2026, 10:09

Vlora Hyseni, deklarata e Ramës për SHISH merr tjetër peshë pas zhvillimeve të fundit: “Kam qenë jashtëzakonisht neglizhent”

ANALIZË | Pak ditë përpara zhvillimeve ndaj Vlora Hysenit, Rama fliste në podkast për marrëdhënien e tij me drejtuesit e SHISH dhe pranonte se kontrollin e kishte “dobësi”. Sot, ato deklarata po lexohen në një dritë tjetër

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama, e bërë vetëm pak ditë përpara se drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, të vendosej nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe të pezullohej nga detyra, po merr një tjetër vëmendje pas zhvillimeve të fundit.

Në podkastin “Flasim Shqip”, në një intervistë të regjistruar me gazetaren Rudina Xhunga, Rama u pyet për atë që ajo e përshkroi si dëshirën e tij për të kontrolluar gjithçka. Kryeministri e kundërshtoi këtë përshkrim dhe, për ta ilustruar, solli pikërisht marrëdhënien e tij me tre drejtuesit e SHISH: Visho Ajazin, Helidon Bendon dhe Vlora Hysenin. Intervista u transmetua më 11 shtator.

“Unë, për fat të mirë në disa drejtime dhe për fat të keq në disa drejtime të tjera, e kam një nga dobësitë e mia që nuk jam një njeri që nxitem të kontrolloj”, u shpreh Rama.

Më pas ai përmendi drejtpërdrejt drejtuesit e shërbimit inteligjent shqiptar.

“Kam punuar me tre drejtorë të Shërbimit Sekret Shqiptar: me Visho Ajazin, me Helidon Bendon që e zëvendësoi dhe më pas, tani, me Vlora Hysenin. Dhe të tre mund të dëshmojnë që procesin e raportimit dhe të bashkëbisedimit me drejtuesit e shërbimit e kisha thuajse plotësisht të deleguar te drejtorja e kabinetit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se merrte vetëm informacione që i konsideronte tepër të rezervuara dhe të lidhura me aleatët dhe aleancat e Shqipërisë.

Por është një tjetër fjali e tij që, pas zhvillimeve me Hysenin, tërheq veçanërisht vëmendjen.

“Për pjesën tjetër kam qenë jashtëzakonisht neglizhent, për shkak se nuk e kam këtë. Unë besoj shumë te njerëzit”, deklaroi Rama.

Ai e vijoi argumentin duke thënë se besimi te njerëzit është një tipar i fortë i karakterit të tij dhe se kontrollin e konsideron një dobësi të vetën.

“Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi”, tha Rama, duke shtuar më tej se “besimi i tepërt të kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët”.

Deklaratat marrin një peshë të re pas vendimit të GJKKO-së të 21 shtatorit, e cila, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Vlora Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës. Hyseni është person nën hetim në procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Afërsia kohore mes intervistës dhe zhvillimeve të mëvonshme ngre natyrshëm pyetjen nëse Rama, duke theksuar se marrëdhënien e përditshme me drejtuesit e SHISH e kishte deleguar dhe se vetë merrte vetëm informacionet më të ndjeshme, po vendoste publikisht një distancë institucionale nga mënyra e funksionimit të shërbimit.

Megjithatë, vetë deklarata nuk provon se Rama kishte dijeni për hetimet që do të çonin më pas në masën ndaj Hysenit, apo se ndërhyrja e tij në podkast kishte këtë qëllim. Ajo që mund të thuhet është se, pas zhvillimeve të SPAK dhe GJKKO, pohimet e tij për delegimin e marrëdhënies me SHISH dhe “neglizhencën” në kontroll marrin një kuptim politik të ri.

Vetëm 11 ditë pas transmetimit të intervistës, emri i Vlora Hysenit do të ishte në qendër të një prej zhvillimeve më të rëndësishme të SPAK, ndërsa Rama do të njoftonte më pas largimin e saj të menjëhershëm nga drejtimi i SHISH.

Pjesa e plotë nga intervista

Rudina Xhunga: Po dëshirën për kontroll, e kishit atëherë? Në kuptimin që jeni tani. Jeni një njeri që doni të kontrolloni çdo gjë: tavolinën, studion, njerëzit.

Edi Rama: Dëshira për kontroll mendoj që është një lexim shabllon. Është një mënyrë për ta përcaktuar, si të thuash, atë profilin tim publik, duke e ushqyer nga motive të ndryshme. Unë, për fat të mirë në disa drejtime dhe për fat të keq në disa drejtime të tjera, e kam një nga dobësitë e mia që nuk jam një njeri që nxitem të kontrolloj.

Fjala vjen, unë kam dëshmitarë drejtorët e shërbimeve inteligjente. Kam punuar me tre drejtorë të Shërbimit Sekret Shqiptar: me Visho Ajazin, me Helidon Bendon që e zëvendësoi dhe më pas, tani, me Vlora Hysenin. Dhe të tre mund të dëshmojnë që procesin e raportimit dhe të bashkëbisedimit me drejtuesit e shërbimit e kisha thuajse plotësisht të deleguar te drejtoria e kabinetit dhe merrja vetëm informacione shumë të rezervuara dhe shumë speciale, që kishin të bënin me aleatët dhe aleancat tona. Për pjesën tjetër kam qenë jashtëzakonisht neglizhent, për shkak se nuk e kam këtë. Unë besoj shumë te njerëzit. Jam rritur gjithmonë me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime, e cila ishte njeriu me të cilin unë isha shumë afër që i vogël. Ajo ishte një katolike, kështu, nga ato praktikantet, edhe në atë kohë kur feja ishte ndaluar, me atë shprehjen e famshme: “Ti preke dhe besove, po lum ai që besoi pa prekur.”

Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues. Kam pasur, në mënyrë të veçantë, një bashkudhëtar për një kohë të caktuar rruge, që ishte një njeri, është akoma, po tani jo bashkudhëtar.Dhe gjithmonë kam besuar që të dyshosh tek të tjerët, të jetosh me dyshime, është një kosto shumë e madhe për ty. Por nganjëherë them që duhet, sepse pastaj, kur ti ke përgjegjësi karshi të tjerëve, besimi i tepërt të kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët".

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit