

TIRANË — Pasi aktorja Egla Ceno bëri publike se ka marrë një mesazh kërcënues dhe ka kallëzuar rastin në polici, pas pjesëmarrjes së saj në protestën kundër qeverisë, ka reaguar deputetja socialiste Iris Luarasi.
Nëpërmjet një deklarate të fortë publike, Luarasi ka shprehur solidaritetin e plotë me Cenon, duke e cilësuar kërcënimin me përdhunim si një akt dhune të papranueshëm që nuk mund të justifikohet nën petkun e debatit politik.
Luarasi, e cila ka ndarë gjithashtu përvojat e saj personale me kërcënime të ngjashme në rrjetet sociale, theksoi se frika e përjetuar nga një mesazh i tillë është një realitet i dhimbshëm që prek sigurinë e vetë individit dhe familjes.
Ajo vuri në dukje se urrejtja e verbër e shndërron gruan në objekt dhe kërcënimet e rënda në një formë të të shprehurit mendim, një qasje që sipas saj rrezikon të normalizojë dhunën në shoqëri.


Deklarata e plotë:
"Këtë gjuhë nuk duhet ta pranojmë dhe, mbi të gjitha, nuk duhet ta relativizojmë. Çdo shpjegim i tillë është një hap tjetër drejt normalizimit, dhe pas normalizimit vjen dhuna reale," u shpreh Luarasi, duke shtuar se denoncimi i Cenos përbën një akt force dhe kuraje.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja socialiste bëri thirrje të prerë ndaj institucioneve ligjzbatuese që të hetojnë ngjarjen me shpejtësi dhe pa asnjë tolerancë. Duke lënë mënjanë dallimet politike, ajo përmbylli se siguria dhe dinjiteti i një gruaje mbeten vlera të pacenueshme që nuk pyetin për krahun ku dikush qëndron.
Egla Ceno të lexova dhe më dhemb. Sepse i njoh fjalët që të kanë shkruar një për një. Pas ngjarjeve të fundit kam marrë kërcënime me përdhunim, me vrasje, varje, me pushkatim. E njoh mirë atë natë kur nuk fle, kur hap telefonin dhe zemra të rreh më shpejt sepse nuk e di çfarë do të lexosh për vete dhe për fëmijët e tu.
Sot jam me ty e ti nuk je vetëm. Ajo që të ka ndodhur ty nuk është gjuhë urrejtjeje që ka verbuar sytë e njerëzve. Duket urrejtja e paska këtë veti që ta merr aftësinë për të shikuar një qenie njerëzore përballë. E kthen gruan në objekt, kundërshtarin në armik, dhe kërcënimin me përdhunim në një “mënyrë të thuash një mendim”. Ky është pikërisht momenti kur një shoqëri humbet, kur pranon që trupi i një gruaje të bëhet terren për t’i shfryrë politikën.
Këtë gjuhë nuk duhet ta pranojmë dhe, mbi të gjitha, nuk duhet ta relativizojmë. Çdo shprehje e tipit “e kërkoi vetë”, “ç’pret kur del në protestë”, apo “ishte shaka” është përpjekje për të relativizuar dhunën. Çdo shpjegim i tillë është një hap tjetër drejt normalizimit, dhe pas normalizimit vjen dhuna reale. Kërcënimi me përdhunim nuk është debat, nuk është mendim i lirë, është vepër. Pas dënimit të tij nuk vendoset kurrë një “por”. Të kërkojnë të ndjesh frikë, dhe në vend të kësaj ti zgjodhe të denoncosh. Kjo është forcë e vërtetë. Duhet kurajo të zgjedhësh ligjin në vend të heshtjes, sepse heshtja është pikërisht ajo që kërkojnë kërcënuesit. Denoncimi yt nuk të mbron vetëm ty, mbron çdo vajzë që lexon këtë histori dhe mëson se ka rrugë. Tani institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, shpejt dhe pa asnjë tolerancë.
Mund të mos i shohim njësoj gjërat në politikë, dhe s’ka pse t’i shohim, sepse unë mendoj që dinjiteti i një gruaje nuk pyet për anën ku qëndron. Ajo që nuk pranojmë të ndodhë ndaj teje, nuk duhet t’i ndodhë më askujt.
Jam me ty.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






