Transmetuar më 23-09-2026, 08:56

Publikohen zyrtarisht 10 profesionet e reja më të kërkuara në BE, Komisioni Evropian synon njohje më të shpejtë të kualifikimeve

Fizioterapistë, inxhinierë, elektricistë, teknikë laboratorësh dhe edukatorë janë mes profesioneve që BE synon t’i përfshijë në procedura më të shpejta të njohjes së kualifikimeve

Bruksel – Komisioni Evropian ka hartuar një listë paraprake me 10 profesione që konsiderohen me rëndësi të veçantë për tregun e punës në Bashkimin Europian dhe për të cilat synohet të lehtësohet ndjeshëm njohja e kualifikimeve profesionale mes vendeve anëtare.

Në krye të listës që citon noa.al janë fizioterapistët, për të cilët është miratuar tashmë kuadri i parë i përbashkët i formimit.

Nisma është pjesë e Paketës për Lëvizjen e Drejtë të Fuqisë Punëtore dhe synon të ulë pengesat burokratike për profesionistët që duan të punojnë në një shtet tjetër të BE-së.

Sipas planit, njohja e kualifikimeve për disa profesione të rregulluara pritet të bëhet më e shpejtë, më e lirë dhe më e sigurt.

Aktualisht, vetëm shtatë profesione përfitojnë nga njohja automatike në të gjithë BE-në, mes tyre mjekët, infermierët e përgjithshëm, dentistët, farmacistët, mamitë, veterinerët dhe arkitektët.

Komisioni synon që kjo listë të zgjerohet gradualisht.

10 profesionet që janë përfshirë në listën paraprake janë:

Fizioterapistë

Inxhinierë ndërtimi

Teknikë të laboratorëve biomjekësorë

Elektricistë

Arkitektë peizazhi

Ndihmës-infermierë

Ndihmës të kujdesit shëndetësor

Terapistë profesionalë

Teknikë të radiologjisë

Edukatorë parashkollorë dhe punonjës të kujdesit për fëmijët

Komisioni Evropian thekson se kjo listë është paraprake dhe është hartuar sipas përparësive të tregut të punës.

Profesionet janë përzgjedhur për shkak të mungesës së punonjësve, rëndësisë për ekonominë, shëndetësinë, kujdesin social, arsimin, energjinë dhe kalimin e gjelbër e digjital.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kohën e njohjes së kualifikimeve.

Për profesione si mjekët, infermierët, inxhinierët dhe mësuesit, procedura digjitale synon ta ulë kohën e njohjes nga rreth tre muaj në pesë javë.

Një rol të rëndësishëm do të ketë edhe Portofoli Europian i Identitetit Digjital, ku qytetarët do të mund të ruajnë dokumente si kartën e identitetit, patentën, diplomat dhe të dhënat e sigurimeve shëndetësore.

Vendet e BE-së pritet të përfundojnë procedurat për këtë portofol para Krishtlindjeve të vitit 2026.

Një tjetër pjesë e planit prek edhe profesionistët nga vendet jashtë BE-së.

Sipas propozimit, njohja e kualifikimeve të marra jashtë Bashkimit Europian, që aktualisht mund të zgjasë mesatarisht 14 muaj, synohet të ulet në rreth 4 muaj.

Kjo mund të lehtësojë punësimin e profesionistëve nga vendet e treta, megjithëse shtetet anëtare do të vazhdojnë të kenë kontrollin për hyrjen, qëndrimin dhe kushtkushtet e ushtrimit të profesionit. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit