

Rrethana të reja e tronditëse po dalin nga hetimi gjyqësor mbi vrasjen e 32-vjeçares Stefanie Pieper në Austri, trupi i së cilës u gjet i varrosur brenda një valixheje në një zonë pyjore pranë kufirit me Slloveninë.
Organi i akuzës po heton mundësinë e frikshme se e reja mund të ketë qenë ende gjallë në momentin kur ish-partneri i saj, 31-vjeçari Patrick M., e mbylli brenda valixhes pas sulmit në banesën e saj.
Prania e dëmtimeve në fytyrën e viktimës ka ngritur dyshimet te hetuesit se ajo mund të ketë qenë në jetë dhe është përpjekur të dalë prej saj, ndonëse ekspertiza autopsike nuk ka arritur të përcaktojë me saktësi absolute momentin e vdekjes.
Ndërkohë, i pandehuri Patrick M., i cili u akuzua zyrtarisht për vrasje, ka filluar të tërheqë rrëfimin e tij të mëparshëm ku pranonte mbytjen e 32-vjeçares për shkak të xhelozisë, duke pretenduar tashmë se ka marrë pjesë vetëm në fshehjen dhe varrosjen e trupit.
Sipas hetimeve të publikuara nga mediat vendase, në transportimin dhe varrosjen e valixhes dyshohet se kanë ndihmuar edhe vëllai e njerku i të dyshuarit.
Ngjarja e rëndë nisi pasi e reja u zhduk më 23 nëntor 2025 pas një feste Krishtlindjesh, menjëherë pasi i kishte dërguar një mesazh shqetësues shoqes së saj për një person të panjohur në shkallët e pallatit, ndërsa alarmi u ngrit nga fotografi i saj të nesërmen kur ajo nuk u paraqit në punë.
Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së krimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






