

Përhapja e inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor po ecën me ritme të pabarabarta, ku Serbia mban vendin e parë në rajon për përdorimin e platformës ChatGPT, ndërsa Shqipëria renditet pranë fundit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për majin e vitit 2025, Serbia regjistroi 231 vizita në ChatGPT për çdo 100 përdorues interneti, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 166 dhe Mali i Zi me 146 vizita. Shqipëria u pozicionua e parafundit me 142 vizita për 100 përdorues, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën me 134 vizita, shifra këto që mbeten dukshëm më të ulëta në krahasim me vendet e zhvilluara evropiane apo SHBA-në.
Banka Botërore thekson se këto dallime në përvetësimin e teknologjisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitetin dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendeve të rajonit. Përdorimi i inteligjencës artificiale shihet si një mundësi kyçe për të ulur kostot e bizneseve, për të automatizuar proceset dhe për të përmirësuar shërbimet nga arsimi te bujqësia. Megjithatë, raporti paralajmëron se ekonomitë me infrastrukturë më të dobët dixhitale, kapacitete të kufizuara dhe kosto të lartë aksesi në internet rrezikojnë të mbeten pas në këtë transformim global.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






