

Shqipëria renditet ndër vendet e para në Evropë ku kostoja e lartë financiare pengon qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, 8% e popullsisë shqiptare mbi 16 vjeç kanë deklaruar se nuk kanë kryer një ekzaminim mjekësor për shkak të pamundësisë financiare. Ky tregues e vendos Shqipërinë të dytën në Evropë, menjëherë pas Greqisë me 8.8%, ndërsa lë pas mesataren e Bashkimit Evropian që qëndron në vetëm 1%, si dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ku kjo pengesë prek më pak se 1.2% të popullsisë.
Përveç faktorrit financiar, që mbetet pengesa kryesore, qytetarët shqiptarë përballen edhe me vështirësi të tjera organizative e personale për kryerjen e kontrolleve mjekësore. Në total, 14.9% e popullsisë në vend ka raportuar të paktën një nevojë të paplotësuar shëndetësore, ku përveç kostos ndikojnë listat e gjata të pritjes (1.5%), dëshira për të pritur përmirësimin e vetvetishëm të problemit (2%), si dhe mungesa e kohës apo largësia nga qendrat spitalore.
Sipas të dhënave plotësuese të Bankës Botërore, kjo situatë reflekton mbulimin e ulët publik të shpenzimeve shëndetësore në vend. Familjet shqiptare paguajnë nga xhepi i tyre rreth 48.27% të shpenzimeve totale për shëndetësinë, që përbën nivelin më të lartë në Evropë, ndërkohë që konsumi real për frymë për mallra dhe shërbime shëndetësore në Shqipëri arrin në vetëm 40% të mesatares Evropiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






