

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, nuk po përballet për herë të parë me hetimin e një drejtuesi të Shërbimit Informativ të Shtetit. Më shumë se dy dekada më parë, në vitin 2003 kur shërbente si prokuror në Tiranë, Dumani hetoi dhe dërgoi në gjyq ish-shefin e SHISH-it, Fatos Klosi, me akuzën e shpërdorimit të detyrës për abuzim me fondet në 15 tendera publikë, proces ky që përfundoi një vit më vonë me pafajësinë e Klosit në Gjykatën e Tiranës. Sot, historiku përsëritet me masat e marra ndaj Vlora Hysenit, e cila akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Hetimet e sotme që çuan në pezullimin dhe arrestin e shtëpisë për Hysenin burojnë nga zbërthimi i të dhënave të dosjes "AKSHI", ku ngrihen dyshime se ish-kryeinteligjentja ka favorizuar biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar një muaj më parë. Në kuadër të këtij operacioni të gjerë, me urdhër të GJKKO-së janë ushtruar kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili dha deklarime për dy orë në SPAK, si dhe janë arrestuar shefi i Laboratorit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi, dhe zyrtari Embro Sulejmani, të dyshuar për dëmtimin e pamjeve filmike që do të dokumentonin lëvizjet e Agasit gjatë kohës që ndodhej në kërkim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






