

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me një rënie të kërkesës për blerje apartamentesh, një trend ky i ndikuar si nga hetimet e intensifikuara të SPAK, ashtu edhe nga papërballueshmëria e çmimeve për familjet e reja. Sipas agjentëve imobiliarë, sekuestrimet e shumta të pronave luksoze dhe goditja e burimeve të parasë informale kanë frenuar blerjet nga zyrtarët e administratës dhe grupet kriminale. Në të njëjtën kohë, hendeku i madh mes të ardhurave të qytetarëve dhe çmimeve të larta, si dhe mungesa e ofertës për prona nën vlerën e 200 mijë eurove, ka kufizuar ndjeshëm blerësit që kërkojnë të zgjidhin çështjen e strehimit.
Kjo ulje e kërkesës ka nisur të reflektohet edhe në uljen e lehtë të çmimeve të shitjes, ku disa njësi në kullat e kryeqytetit po ofrohen me ulje promocionale, ndërsa të dhënat e indeksit "Keydata Albania" tregojnë një rënie prej 1.2% të çmimit mesatar të apartamenteve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke zbritur në 2,116 euro për metër katror. Ekspertët e tregut sqarojnë se përveç goditjes së parasë informale nga drejtësia, një faktor kyç në fleksibilitetin e çmimeve ka qenë edhe nisja e procesit të rivlerësimit të pronave me tatim të reduktuar në 5%, çka u ka dhënë mundësi shitësve të negociojnë ulje më të mëdha për transaksione të shpejta.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






