

Gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e dy objekteve të përdorura për shërbime hotelerie. Ekzekutimi i plotë i vendimit do të bëhet më 6 tetor, pasi në hotel kishte ende pushues të akomoduar
Sarandë – Dy objekte të ndërtuara pa leje dhe të përdorura për shërbime hotelerie janë sekuestruar në Ksamil, ndërsa pronari i tyre është vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Bëhet fjalë për një objekt 5-katësh dhe një tjetër 1-katësh, të ndërtuara në lagjen nr. 2, në rrugën “Derolli”.
Sipas Policisë, objektet ishin ngritur pa leje me qëllim përfitimi dhe përdoreshin për aktivitet hotelier.
Gjykata e Sarandës ka vendosur sekuestrimin e tyre, ndërsa ndaj pronarit, shtetasit K. P., është caktuar masa “arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Gjatë procedurave për zbatimin e vendimit është konstatuar se hoteli ishte ende në funksion dhe në të ndodheshin pushues të akomoduar.
Për këtë arsye, ekzekutimi i plotë i vendimit është shtyrë, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se më 6 tetor 2026 do të kryhen veprimet përfundimtare për marrjen në administrim të objekteve.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






