

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka kërkuar dhe ka marrë masa sigurie ndaj disa pasurive në kuadër të një hetimi për ndërtim pa leje dhe shpërdorim detyre.
Me vendim të gjykatës është sekuestruar hoteli “Central Park Premium Hotel” në Ksamil, një objekt pesëkatësh që, sipas Prokurorisë, dyshohet se është ndërtuar pa leje.
Në kuadër të të njëjtit hetim është sekuestruar edhe një objekt pranë hotelit, me një kat të ndërtuar pa leje dhe me sipërfaqe 52.2 metra katrorë.
Gjykata ka caktuar gjithashtu masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për shtetasin me inicialet K.P.
Masat janë kërkuar në kuadër të procedimit penal nr. 522/2025, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, të parashikuar nga neni 199/a-4 i Kodit Penal, dhe “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248.
Sipas Prokurorisë, hetimet vijojnë për të identifikuar dhe përcaktuar përgjegjësinë e të gjithë personave që dyshohet se janë përfshirë në këtë çështje.
Hetimi është në vijim dhe masat e sigurisë nuk përbëjnë një vendim përfundimtar mbi fajësinë e personave nën hetim.
Sarandë
Sekuestrohen në Ksamil, një objekt 5-katësh dhe një objekt 1-katësh, të ndërtuara pa leje, për qëllime fitimi (shërbime hotelierie).
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për pronarin e tyre.
Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, kanë kryer procedurat për ekzekutimin e vendimeve të caktuara nga Gjykata e Sarandës, në vijim të hetimeve të kryera për një rast të ndërtimit pa leje, për qëllime fitimi, në Ksamil.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Sarandës është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga kjo Gjykatë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin K. P..
Gjykata ka vendosur edhe sekuestrimin e një objekti 5-katësh dhe të një objekti 1-katësh, në lagjen nr. 2, rruga “Derolli”, Ksamil, të ndërtuara pa leje, për shërbime hotelierie.
Gjatë procedurave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, u konstatua se hoteli ishte në funksion dhe ishin akomoduar pushues. Për këtë arsye, u morën masa paraprake dhe më datë 06.10.2026, do të kryhen të gjitha veprimet për ekzekutimin e plotë të vendimit të Gjykatës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






