Transmetuar më 22-09-2026, 15:50

Rama reagon nga Nju Jorku për Vlora Hysenin: Lirimi nga detyra është i menjëhershëm, do të zgjedhim drejtuesin e ri të SHISH

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Nju Jorku pas masës së sigurisë të vendosur ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke bërë të ditur se lirimi i saj nga detyra do të jetë i menjëhershëm.

Reagimi vjen pasi GJKKO, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Hysenit masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha se pret që çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës të hetohet dhe të sqarohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor. Reagimi i tij dhe njoftimi për largimin e Hysenit nga detyra janë raportuar gjithashtu nga disa media shqiptare.

Kryeministri shprehu respekt për punën e Hysenit dhe për vlerësimet që, sipas tij, ajo ka marrë nga agjencitë partnere, por theksoi se kjo nuk ndryshon qëndrimin e qeverisë ndaj veprimeve të drejtësisë.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkroi Rama.

Ai shtoi se përgjegjësia penale e çdo bashkëpunëtori të tij është individuale dhe se shumica qeverisëse nuk do të ndërhyjë në çështjet që ndodhen në duart e prokurorisë dhe gjykatave.

Rama kritikoi gjithashtu mënyrën se si hetimet ndaj personave publikë, sipas tij, shndërrohen menjëherë në përplasje politike dhe mediatike, përpara se gjykata të japë një vendim përfundimtar.

Në fund të reagimit, kryeministri njoftoi hapin që do të ndërmerret për drejtimin e SHISH.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm”, deklaroi Rama, duke shtuar se sapo të kthehet në Tiranë do të konsultohet me Presidentin e Republikës për drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Vlora Hyseni është person nën hetim në procedimin e SPAK dhe ndaj saj është vendosur masë sigurie; fajësia ose pafajësia përcaktohet nga gjykata.

Deklarata e plotë

Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.

Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.

Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit