Transmetuar më 22-09-2026, 14:46

Ilir Proda del nga SPAK pas marrjes në pyetje, emri i tij doli nga materialet e sekuestruara në hetimin për Ergys Agasin

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është larguar nga ambientet e SPAK pasi u mor në pyetje në kuadër të hetimit që lidhet me dosjen e Ergys Agasit.

Sipas SPAK, emri i Prodës ka dalë gjatë shqyrtimit të materialeve të sekuestruara nga pajisjet elektronike të gjetura në zyrën e Agasit. Proda është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme pas kontrolleve të kryera më herët në banesën e tij.

Pamjet që shihni tregojnë ish-kreun e Policisë duke dalë nga SPAK me një cigare në dorë, pas përfundimit të marrjes në pyetje.

Kontrolli ndaj Prodës ishte autorizuar nga Gjykata e Posaçme. Me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, GJKKO lejoi kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të tij. SPAK e ka konfirmuar zyrtarisht këtë veprim në njoftimin për operacionin.

Në njoftimin zyrtar nuk bëhet e ditur se ndaj Ilir Prodës është caktuar masë sigurie dhe as nuk përcaktohet një akuzë ndaj tij. Kontrollet dhe marrja në pyetje janë pjesë e veprimeve hetimore që po zhvillohen.

Operacioni ka sjellë ndërkohë masa sigurie ndaj personave të tjerë. Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, është vendosur në “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa janë caktuar edhe dy masa “arrest në burg”.

Hetimet vijojnë në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit