

SPAK zbardh aksionin e madh, “arrest shtëpie” dhe pezullim për Vlora Hysenin, dy masa “arrest në burg” dhe kontrolle te Ilir Proda.
Njoftimi zyrtar konfirmon masën ndaj Vlora Hysenit, dy masa të tjera “arrest në burg”, kontrollin e banesës së Ilir Prodës dhe kontrolle në një kompleks vilash në Shkozet. Hetimi lidhet me procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025
Tiranë – SPAK ka dhënë informacionin zyrtar për operacionin e zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, duke konfirmuar masën e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si edhe masa ndaj dy personave të tjerë dhe kontrolle në disa adresa, raporton noa.al.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme, me vendimin nr. 67 të datës 21 shtator 2026, ka caktuar ndaj Vlora Hysenit masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Hyseni është person nën hetim për vepra penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Në të njëjtën dosje, GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për Fation Kallucin, me detyrë përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, i cili është nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
Masë “arrest në burg” është caktuar edhe për Embro Suleimanin, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i cili hetohet për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal. Sipas njoftimit, Policia e Shtetit ka ekzekutuar dy nga tri masat e sigurimit, pa u specifikuar në njoftimin e cituar se cila masë mbetej e paekzekutuar në atë moment.
Operacioni është shtrirë edhe te ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Me vendimin nr. 618 të datës 20 shtator, GJKKO ka autorizuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të tij.
Një tjetër vendim i Gjykatës së Posaçme, nr. 619 i datës 21 shtator, ka autorizuar kontrollin e një kompleksi vilash në kryqëzimin e rrugëve “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozetit, Durrës.
SPAK nuk ka bërë publike në këtë njoftim të gjitha të dhënat e hetimit dhe provat mbi të cilat janë mbështetur kërkesat për masat e sigurisë dhe kontrollet. Hetimi vijon në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Çfarë njoftoi sot SPAK
SPAK njoftoi sot se ekzekutoi masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases Vlora Hyseni me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Fation Kalluci, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Embro Suleimani, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit Ilir Proda, ish drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Çfarë është procedimi penal nr. 20/1 i shpallur më 16 dhjetor 2025
SPAK njoftoi më 16 dhjetor 2025 se po ushtron ndjekjen penale ndaj disa shtetasve të përfshirë në vepra të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, ndaj tetë shtetasve nën hetim për vepra penale:“Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, parashikuara nga nenet 110, 170/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Shtetasit e dyshuar, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke konsumuar elemente të veprës penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave.
Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Në këtë kuadër, Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 15.12.2025, paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit ndaj tetë (8) shtetasve nën hetim. Sot, më 16.12.2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës për disa nga shtetasit e mëposhtëm:
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit në hetim E.A., e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. (pa ekzekutuar)
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit nën hetim, E.B., e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal. (pa ekzekutuar)
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim, M.K., e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për kryerjen e veprave penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim, H.D., e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit,“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim E.I., të parashikuara nga nenet 242 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 170/b, 28/4 dhe 333/a, 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim A.P., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim, G.H., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim R.Rr., e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale; “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






