

TIRANË — Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, në kuadër të hetimit të zgjeruar që po zhvillon Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Sipas të dhënave të zbardhura nga procesi hetimor, Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Hetuesit kanë ushtruar kontroll në banesën e saj, ndërsa masa e sigurisë mbetet e paekzekutuar pasi zyrtarja ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Vlora Hyseni gëzon një përvojë të gjatë në sektorin e sigurisë kombëtare dhe inteligjencës. Ajo ka shërbyer për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe, prej vitit 2019, postin e zëvendësdrejtores së këtij institucioni.
Më 30 qershor 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti morën vendim për shkarkimin e saj nga detyra në AKI. Në njoftimin zyrtar të asaj kohe nuk u dhanë arsyetime të detajuara, por Hyseni u obligua ligjërisht të dorëzonte të gjitha mjetet e materialet dhe të ruante rreptësisht informacionin e klasifikuar.
Pas largimit nga Kosova, Hyseni u angazhua në Shqipëri si këshilltare e Kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë. Më 17 mars 2023, Kryeministri e propozoi atë për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, propozim që u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023, duke zëvendësuar në këtë detyrë Helidon Bendon.
Pezullimi i saj nga detyra dhe masa e sigurisë e caktuar nga GJKKO vijnë pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH-it, ndërsa organet e drejtësisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe provave të çështjes.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






