

PRISHTINË — Avokati britanik Toby Cadman, i cili ka përfaqësuar më parë drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe njeh nga afër procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i ka cilësuar si mjaft zhgënjyese vendimet e shkallës së parë, veçanërisht dënimet prej 25 vitesh burgim ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
Lidhur me strategjinë që duhet të ndjekë mbrojtja gjatë procesit të apelimit, Toby Cadman u shpreh:
“Sa i përket apelit, mendoj që duhet të argumentohet shpërfillja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes. Dëshmitë e mbrojtjes janë shpërfillur plotësisht dhe kjo duhet të argumentohet fuqishëm në apel dhe potencialisht të çojë në rrëzimin e aktgjykimeve. Si avokat, kam gjithmonë shpresë dhe besim në institucionet gjyqësore.”
Avokati britanik vuri në dukje se ndjekja penale e vetëm njërës palë në konflikt dëmton drejtpërdrejt legjitimitetin e gjykatës, duke e cilësuar atë si një tribunal ndërkombëtar në çdo element, përveç emrit.
Lidhur me impaktin publik dhe natyrën e këtij institucioni juridik, Cadman deklaroi:
“Reagimi im i parë ishte se kjo ishte një formë e pritshme, por është shumë zhgënjyese, sidomos shkalla e lartë e dënimit. Është kohëzgjatje shumë e madhe e dënimit, sidomos për Thaçin dhe Krasniqin, që u dënuan me 25 vjet. Kur një proces është ngritur për të ndjekur penalisht vetëm njërën palë të konfliktit, veçanërisht palën që ka vuajtur më së shumti, kjo ndikon në legjitimitetin e institucionit. Mendoj se një shqetësim tjetër është që vendimi jepet në emër të popullit të Kosovës. Kjo ka shkaktuar shqetësim të madh dhe po shohim lëvizje me sloganin ‘Jo në emrin tim’. Është e vështirë që kjo të barazohet me një gjykatë të Kosovës. Ky është një tribunal ndërkombëtar në çdo aspekt, përveç emrit.”
Sa i përket hapa ligjorë dhe proceduralë në vijim, Cadman theksoi se ndryshimi i ligjit për Specialen nga Kuvendi i Kosovës mbetet pothuajse i pamundur për shkak të presionit ndërkombëtar nga BE-ja dhe SHBA-ja, por nënvizoi se seancat e Apelit mund dhe duhet të zhvillohen brenda territorit të Kosovës.
Lidhur me kornizën ligjore dhe mundësinë e zhvendosjes së seancave, Toby Cadman nënvizoi:
“Kemi parë deklarata të shumta për ndryshimin e Speciales dhe mendoj për amendimin e ligjit, por mendoj se është shumë e vështirë që tani të ketë ndryshime. Një nga kritikat kryesore buron nga fakti se Specialja nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, nuk ka koordinim me ministritë apo institucionet e Kosovës. Nëse shohim përpjekjet për reformën para disa vitesh, kishte një lëvizje në Kuvend për ta shqyrtuar institucionin dhe për të parë mundësinë për reformimin e ligjit. Autoritetet e Kosovës nuk kishin kompetencë për të bërë ndryshime dhe ndërkombëtarët ishin kritikë ndaj çdo përpjekjeje për të ndryshuar këtë proces. Mendoj se edhe tani do të ishte i njëjti presion nga BE-ja dhe SHBA-ja. Vetëm BE-ja do të kishte autoritet për ta bërë. Marrëveshja e shtetit pritës është një marrëveshje ndërkombëtare. Ajo ka një klauzolë ku Kosova potencialisht mund ta paraqesë një kërkesë në arbitrazh. Potencialisht është diçka që mund të konsiderohet tani nga autoritetet shtetërore. Si marrëveshje ndërkombëtare, është mes Kosovës dhe Holandës, që ka të bëjë me shtetin pritës. Me faktin që institucioni ndodhet në Hagë, jashtë Kosovës, janë bërë komente që procedurat e apelit të bëhen në Kosovë. Aktualisht nuk ka asgjë që e ndalon këtë, sepse ligji thotë se selia është në Kosovë dhe diku tjetër; ai nuk thotë se procedurat nuk mund të zhvillohen dhe të mbahen në Kosovë. Edhe unë kam thënë që është e preferueshme që kjo gjë të bëhet në vendin ku kanë ndodhur ngjarjet. Kosova, në të vërtetë, nuk ka ndonjë fuqi për t’i kërkuar institucionit dhe BE-së, por ama nuk ka asgjë që ta pengojë zhvillimin e seancave në Kosovë. Unë e kam mbështetur këtë edhe për arsyen se gjykata nuk ka qasje nga populli i Kosovës.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






