Transmetuar më 22-09-2026, 12:46

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, duke pretenduar se ajo kishte lidhje të ngushta bashkëpunimi me biznesmenin Ergys Agasi dhe se institucioni i inteligjencës kontrollohej nga eksponentë të krimit.

Në deklaratën e tij për mediat, Berisha pohoi se takimet mes Hysenit dhe Agasit zhvilloheshin hapur në ambiente publike në qendër të Tiranës, ndërsa e akuzoi drejtuesen e SHISH-it edhe për ndërhyrje në vendimmarrjet e drejtësisë.

Lidhur me lidhjet e pretenduara dhe veprimtarinë e drejtueses së SHISH-it, Sali Berisha deklaroi:

“Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. Por një gjë duhet ta dinë shqiptarët, shërbimi informativ, i cili për hir të së vërtetës paguhet dhe ka detyra të mbikëqyrë veprimtaritë e dyshimta të cilitdo, në rastin e drejtorit të vet, ishte symbyllur komplet. Symbyllur komplet! Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar para jush dhe publikut se shërbimin informativ e kontrollonte Ergys Agasi. Tani, se sa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën, është një lokal aty afër shtëpisë time, të paktën dy herë në javë drekonin së bashku. Pra, nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo, jo, në mes të Tiranës, i kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë njëri me tjetrin. Ky bashkëpunim i shërbimit informativ me krimin dëshmon se në Shqipëri, Padrino vendosi sistemin e kontrollit kriminal në çdo institucion dhe qelizë të këtij vendi. Vlora Hyseni, famëzeza, u mor në mënyrën më aktive me presione ndaj gjykatësve kushtetues në rastin e vendimit Ballukut. E denoncova që në atë kohë. Ajo ka pasur të dhëna shumë të rëndësishme. Qytetarët dixhitalë më thonë se po bëhet një kombinim i dy shërbimeve, Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj. Ergys Agasi ishte dhe është personi, që sipas pohimeve verbale, ndryshonte, emëronte, çemëronte ministrat e brendshëm dhe kishte një kontroll fjollë mbi SHISH-un, tashmë të denoncuar nga unë prej vitesh në mënyrë të përsëritur. Miqësia e kryetares së SHISH me Agasin është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga kjo platformë. Kemi paralajmëruar se shtrirja e kontrollit dhe influencës së këtij mafiozi mbi shërbimin informativ kombëtar nëpërmjet miqësisë që kishte me Hysenin, e njohur tashmë si agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit, lë dyshimet më të mëdha për infektimin e këtij institucioni.”

Pretendimet e liderit të opozitës vijnë pas zhvillimeve më të fundit hetimore nga SPAK-u dhe BKH-ja, që çuan në lëshimin e masës së sigurisë ndaj drejtueses së SHISH-it dhe sekuestrimin e dokumenteve të klasifikuara sekrete.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit