

TURGUTLU — Të paktën 11 nxënës kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri pranë shkollës së mesme profesionale dhe teknike “Inci Uzmez” në qytetin Turgutlu, në provincën Manisa të Turqisë. Ngjarja e rëndë është regjistruar gjatë orëve të mëngjesit të së martës, rreth orës 08:00.
Sipas të dhënave zyrtare, dy prej nxënësve të lënduar ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gurlek, konfirmoi se autori i dyshuar i ngjarjes është kapur dhe prangosur nga forcat e policisë menjëherë pas sulmit.
Nga raportimet e mediave vendase mësohet se i dyshuari është një 15-vjeçar, nxënës i klasës së nëntë, ndonëse mosha e tij pret ende konfirmimin zyrtar nga autoritetet. Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka marrë në pyetje edhe prindërit dhe gjyshin e të riut.
Prokuroria lokale ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, ndërsa organet ligjzbatuese po ekzaminojnë edhe pretendimet se i riu mund të ketë qenë viktimë e bullizmit në ambientet shkollore. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet mbi nivelin e sigurisë në shkollat turke, pas disa incidenteve të ngjashme të regjistruara në vend gjatë muajve të fundit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






