Transmetuar më 22-09-2026, 12:31

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer denoncimet e tij të mëparshme ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë të vendosur ndaj saj nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te historiku i drejtimit të SHISH-it dhe aktiviteti i Hysenit përpara emërimit të saj në krye të institucionit të inteligjencës, duke pretenduar se institucioni u izolua nga partnerët ndërkombëtarë që pas largimit të ish-drejtorit Helidon Bendo.

Lidhur me historikun e emërimit dhe aktivitetin e Vlora Hysenit, Sali Berisha u shpreh:

“Natyrisht, shërbimi informativ kombëtar është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare. Fillimisht pas të themi largimit të detyruar, gjoja për studime të ish-shefit të shërbimit, Helidon Bendo, në shërbim u dërgua këshilltari i tij, famëziu Kashani, i cili në aktin më të parë, i urdhëruar nga Rama, urdhëroi punonjësit të ndërpresin çdo bashkëpunim me shërbimet partnere. Rast unik. Koreja e Veriut mund ta kishte një urdhër të tillë. Por, ndërkohë famozja Hyseni ishte në atë kohë këshilltare e Edi Ramës për shërbimet inteligjente. Ky është denoncim në vitin 2022. Më 24 dhjetor 2022. Burime shumë të besueshme informojnë se sapo mori detyrën, Vlora Hyseni e shkarkuar nga qeveria e Kosovës sepse plaçkiti të dhënat e shërbimit dhe i dërgoi në adresë të armiqve të Kosovës, emërohet drejtoreshë dhe vizitën e parë, sipas burimeve direkt të kryeministrisë, e bëri në Beograd ku qëndroi mbi 10 ditë. E kam konsideruar në atë kohë një kërcënim serioz për NATO-n, pasi shërbimet inteligjente të NATO-s ndajnë informacione me shërbimet inteligjente të vendeve anëtare dhe natyrisht në duart e saj ato kanë shkuar në drejtim të padronëve të saj.”

Reagimi i tij pason veprimet e fundit të SPAK-ut dhe BKH-së, ku pas kontrolleve të ushtruara u zbulua nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara sekrete nga shërbimi informativ.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit