Transmetuar më 22-09-2026, 12:27

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht pas lëshimit të masës së sigurisë nga organet e drejtësisë ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për dosjen e AKSHI-t.

Berisha e cilësoi këtë zhvillim si një akt të paprecedentë në historinë e institucioneve të inteligjencës, duke e akuzuar drejtuesen e SHISH-it për shkelje të betimit dhe tradhti ndaj detyrës shtetërore.

Lidhur me urdhërarrestin e lëshuar nga prokuroria, Sali Berisha deklaroi:

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky.”

Deklarata e liderit të opozitës pason veprimet e fundit hetimore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat zbardhën nxjerrjen e materialeve të klasifikuara sekrete nga SHISH-i dhe çuan në lëshimin e urdhërarresteve për zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të policisë dhe inteligjencës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit