

TIRANË — Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me operacionin e gjerë të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku mes personave të prangosur është edhe biznesmeni durrsak Embro Sulejmani, i njohur si administratori i kompleksit agroturistike “Kodra e Kuajve”.
Arrestimi i Sulejmanit është ekzekutuar me urdhër të SPAK-ut, pas miratimit të kërkesës nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Masat e sigurisë ndaj disa zyrtarëve dhe biznesmenëve u kërkuan nga prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti në kuadër të hetimit të zgjeruar për aferën në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, si dhe masën “arrest në burg” për shefin e Laboratorit Shkencor në Polisinë e Shtetit, Fatjon Kalluci, masë e cila është ekzekutuar gjatë orëve të mëngjesit.
Paralelisht me urdhërarrestet, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesën e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe në disa ambiente e baza në zonën e Shkozetit në Durrës. Hetimet e SPAK-ut vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rolit të të gjithë zyrtarëve dhe personave të përfshirë në këtë dosje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






